Adresa
Rr "Sali Bajra" Sh Kulturëss.
Kaçanik, KS 7100
Orari
e hënë - e premte: 9AM - 16PM
Vikend: nuk puonojmë
Adresa
Rr "Sali Bajra" Sh Kulturëss.
Kaçanik, KS 7100
Orari
e hënë - e premte: 9AM - 16PM
Vikend: nuk puonojmë
Banorëve të lagjes “Bretkoc” të Gjakovës dy herë u janë vërshuar shtëpitë brenda tre muajsh. Madje, për ta hequr ujin nga shtëpia, Haxhi Cufa është detyruar ta thyejë murin e shtëpisë.
“Mos me pas thy murin, hala ujin mrena e kisha”, tregon Cufa, derisa fut këmbën e djathtë në vrimën e murit të dhomës. “Është dashtë me e thy këtu e n’sobën anej e”.
Pothuajse një metër lart nga dyshemeja, muret ende kanë lagështi. Disa batanije e rroba i ka varur në telin e garazhit ngjitur me shtëpinë. Në oborr ende kishte veshmbathje të përbaltura. Cufa kishte nxjerrë familjen nëntëanëtarëshe nga shtëpia para se reshjet e fillimjavës t’ia vërshonin përnjëherë shtëpinë.
“Ky është tmerr. S’na ka pritë as kurrgja me hjekë. Mise s’kem pasë ashtu-kështu kurrgja hiç. Qato çka i kem pasë që na i ka qit komuna kah 500 euro, kem ble diçka, edhe qato janë shku”.
Kjo lagje, ku jetojnë pjesëtarë të komuniteteve pakicë, është përballur me përmbytje edhe në muajin shtator. Kur i kishte vizituar kryetari Ardian Gjini u kishte premtuar zgjidhje të përkohshme për banim. Por banorët thonë se çfarë u ishte ofruar nga Komuna nuk u ishte përshtatur. Ata po jetojnë me frikën e përhershme se do të përballen me vërshime. Komuna në një përgjigje zyrtare ka njoftuar se të gjithë të prekurve u ishte ofruar strehim i sigurt.
“Nuk di çka me thanë, këtu tmerr është. Një shi i madh, këtu veç duhet me ikë”, thotë Cufa.
“… njerëzit duhet të rehatohen”
Sami Stagova, nga organizata joqeveritare “Gjethi”, thotë se vendbanimet joformale i vuajnë më së shumti pasojat e reshjeve për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur urbane.
“E dyta, banesat janë shumë-shumë jo të mira, banesat janë më të qasshme edhe prej ujit”, thekson ai, duke shtuar se duhet të formalizohen këto vendbanime që të merren masat e domosdoshme për t’i shmangur fatkeqësitë e ngjashme natyrore.
“Nëse e mundshme, formalizohen, nëse s’është e mundshme, krijohet një vendbanim tjetër dhe njerëzit rehatohen”.
Prej fundjavës së kaluar, së paku gjashtë komuna janë përballur me vërshime në zona rurale e urbane si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Më shumë është goditur Rrafshi i Dukagjinit. Janë përmbytur edhe shtëpi ndanë Lumbardhit të Pejës.
Kosova ka Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, që është pjesë e institucioneve qendrore.
Inspektori Kastriot Lajçi ka thënë se Agjencia ka ndihmuar familjet që janë rrezikuar prej vërshimeve. Edhe ai ka konfirmuar se thirrjet më të mëdha për ndihmë i kanë pranuar nga rajoni i Pejës.
Kosova i ka të dhënat për rajonet më të cenueshme nga vërshimet në rast të reshjeve të dendura a stuhive të rrëmbyeshme. Megjithatë, pothuajse çdo vit qytetarët po përballen me përmbytje në qytete e fshatra të ndryshme. Stagova thotë se institucionet lokale e qendrore kanë ngecur në krijimin e infrastrukturës, pajisjeve e rezervave të domosdoshme të ujit dhe ushqimit për të ndihmuar qytetarët në rast përmbytjesh. Ai thotë se rrjeti shoqëror joformal i ofrimit të ndihmës vazhdon të jetë kyç për qytetarët e prekur nga vërshimet.
“Ne si qytetarë, domethënë, i ndihmojmë shumë njëri-tjetrit, për shembull e kemi rastin në Shqipëri kur ndodhi tërmeti, sa ndihma ka shkuar, por ndihma në këtë rast duhet të jetë e caktuara, jo çfarë njerëzit duan të japin, por duhet të ketë një sistem”, thekson ai.
Planifikimi sa për sy e faqe
Njohësit e planeve urbane thonë se zyrtarët komunalë nuk i marrin seriozisht rekomandimet e ekspertëve dhe të banorëve gjatë hartimit të planeve zhvillimore komunale dhe vendosjes së infrastrukturës urbane.
“Ne mendojmë se zhvillimi informal i ka shtu potencialisht mundësitë për dëme më të mëdha të vërshimeve”, thekson Stagova, i përfshirë si ekspert në këshilla gjatë hartimit të planeve të ndryshme urbane në Kosovë. “Në raste ideale, bëhen zakonisht plane dhe gjatë hartimit të planeve, në pjesën e lumenjve janë analizat hapësinore që merren nga hartat e ndryshme, nga konfiguracionet e terrenit, por edhe nga rezultatet e mëhershme empirike të vërshimeve të mëhershme”, thekson Stagova, duke shtuar se të dhënat identifikojnë sipërfaqet që rrezikohen më shumë nga vërshimet eventuale.
Veton Mujaj, nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në Pejë, thotë se prerja ilegale e pyjeve dhe nxjerrja e zhavorit nga lumenjtë ka degraduar shtratin e lumenjve. Ai ka treguar se si në mungesë të planeve të qarta edhe sivjet u vërshua sheshi qendror i Pejës nga një përroskë e vogël me emrin “Çukulica”.
“Kjo është njëfarë lloj neglizhence e planifikimeve të qarta nga institucionet tona. Fillimisht, pse po e them këtë, për shkak se këta po mundohen ad-hoc po mundohen me i realizu disa projekte të mëdha pa e përfshi nevojën e qytetarit, pa e diskutu, pa qenë transparent”, thekson Mujaj.
“Kështu fillon ngrohja globale”
Stagova thotë se ka shumë pak informacione për vërshime në Kosovë në muajt e dimrit. Ai thotë se reshjet zakonisht kanë shkaktuar përmbytje verës ose në verën e vonshme.
“Në rastin tonë është evidente se është si pasojë e ngrohjes globale”, thekson Stagova pranë shtratit të Lepencit të fryrë në Kaçanik. “Te ne njerëzit kur u themi ngrohja globale zakonisht mendojnë se Kosova është e vogël edhe për me shkaktu, por edhe për m’i ndi pasojat, por edhe mendojnë se është diçka larg që ka me ndodhë shumë larg në të ardhmen. Por, ngrohja globale kështu fillon, fillon me gjëra më të vogla, por nëse nuk marrim masa, mund të bëhet edhe më e madhe”.
Një marrëveshje të dielën për financimin e shteteve më të varfra të prekura nga ndryshimet klimatike u arrit në përfundim të Samitit të OKB-së për klimën, të mbajtur në Egjipt.
“Çka është problematika se vendet më të varfra, ose në zhvillim, qysh është Kosova, kanë pasoja më të mëdha”, thekson Stagova.
Për herë të parë shtetet e botës vendosën të ndihmojnë që të paguajnë për dëmin që një botë e mbinxehur po u shkakton vendeve të varfra, por shtetet përfunduan bisedimet maratonike për klimën pa adresuar më tej shkakun rrënjësor të këtyre fatkeqësive – djegien e karburanteve fosile.
Jozyrtarisht, edhe zyrtarë të lartë thonë se Kosova është e vogël që ta ketë shqetësim të lartë në agjendë ndikimin që ka në ndotjen globale që shkenca thotë se po shkakton mot ekstrem.
“Duke qenë kjo neglizhencë, na po ndikojmë negativisht në ndryshimet klimatike për shkak se po i lëmë disa dukuri tepër të këqija për me ekzistu”, thekson Mujaj nga “Syri i Vizionit”. “Kështu që kjo sigurisht se nuk po merret seriozisht dhe shpesh ato fjalët e njerëzve nga institucionet tona janë sikur me lexu, ta zëmë një humoreskë, ose një ‘fake news’ dhe nuk i marrin aspak seriozisht elementet e asaj se çfarë dëmi shkakton prerja e një druri, e leja ma zhvatja që po u bëhet pyjeve e lumenjve”.
Më 24 tetor në Ditën Ndërkombëtare të Veprimit për Klimën, organizata joqeveritare “Ec ma Ndryshe” ka postuar një video për ndërgjegjësimin për pasojat e ndryshimit klimatik.
“Ndryshimet klimatike tashmë janë bërë kërcënim për mjedisin, shëndetin e njeriut dhe për ekonominë edhe në Kosovë”, shkruan në njoftimin e shoqëruar me të dhëna e pamje të ndryshme të natyrës së ndotur.
Aty bëhet e ditur se industria e energjisë prin me ndotje me 73 për qind në kuadër të konsumit të lëndëve djegëse, pasuar nga transporti me 15 për qind. 99.95 për qind të gazeve të emetuara e përbën dyoksidi i karbonit.
“Ujërat e ndotura urbane të patrajtuara vlerësohen se janë mbi 35-40 milionë metër kub. Shfrytëzimi joadekuat i tokës dhe planifikimi joadekuat komunal, të cilat rrisin ekspozimin e popullatës ndaj rreziqeve”, alarmohet gjithashtu, duke spikatur edhe praktikën e paqëndrueshme bujqësore, shpyllëzimin dhe shkatërrimin e mjedisit nga aktivitetet minerare. Përgjatë 20 vjetëve të fundit janë humbur 7.618 hektarë pyje.
“Thatësirat më sfiduese se vërshimet”
Sivjet Evropa është përballur me thatësi rekorde që ka alarmuar shkencëtarët që u kanë bërë thirrje liderëve politikë të mendojnë për zgjidhje të qëndrueshme afatgjate. Stagova thotë se për këtë duhet të mendojë edhe Kosova, që ka kapacitete të kufizuara të burimeve ujore.
“Në Kosovë shkaktohen dëme që janë serioze, por problematika më e madhe që na e shohim se mund të jetë është thatësira, sepse në Kosovë ka sasi të vogla të ujit”, thekson Stagova, duke kujtuar se si vitin e kaluar pati një verë të thatë që shkaktoi reduktime të ashpra të ujit në shumë qytete. Ai paralajmëron se ngrohja globale mund të shkaktojë edhe thatësi më të ashpra.
Kosova është e obliguar që të zbatojë politikat evropiane mjedisore në kuadër të integrimit të saj në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën, ku në kuadër të çështjeve mjedisore ka vënë në pah vlerësimet pozitive, sfidat, ngecjet dhe çështjet që duhen adresuar për të përparuar më tej gjendjen mjedisore. Raporti vlerëson se Kosova ende mbetet në një fazë të hershme të përgatitjes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike dhe se është bërë përparim i kufizuar në këtë fushë. Sipas rekomandimeve të BE-së, Kosova duhet të rrisë angazhimin politik për ta trajtuar degradimin e mjedisit dhe ta përmirësojë ndjeshëm zbatimin e legjislacionit, duke e harmonizuar atë me Agjendën e Gjelbër për qëllimet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në analizën që “Ec Ma Ndryshe” i ka bërë vlerësimit të BE-së për mjedisin në Kosovë.
Cilësia e ajrit vazhdon të mbetet edhe këtë vit një aktualitet që i përket gjendjes së rënduar, duke u konsideruar si një kërcënim i madh për shëndetin. Edhe pse identifikimi i detajuar i burimeve të ndotjes së ajrit është përfunduar, Kosova ka dështuar në zbatimin e masave korrigjuese për frenimin e ndotjes, thuhet në raport. Në qershor të vitit 2022, Kosova miratoi Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Ky ligj ka për qëllim t’i përcaktojë kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve për të siguruar të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit nga ndotja e ajrit, analizon OJQ-ja nga Prizreni.
“Megjithatë, zbatueshmëria e këtij ligji vazhdon të mbetet e brishtë dhe Kosova vazhdon të mos zbatojë ndalimin e thëngjillit për ngrohje. Është më se urgjente që vendi ynë të fillojë me investime të formave të tjera të ngrohjes, duke qenë se në këtë mënyrë një barrë e madhe që po shkakton ndotjen e ajrit do të largohej nga supet e Kosovës”.
“Ne si Kosovë, edhe pse mendojmë se jemi e vogël, fatkeqësisht po ndikojmë për keq”, thekson Mujaj.
“Nëse nuk mund ta kthejmë tendencën aktuale, ‘ne do të jemi të dënuar’ – këto ishin fjalët e sekretarit të përgjithshëm (të OKB-së, v.j.), António Guterres, në një intervistë me BBC-në në #StateOfClimate dhe në lidhje me raportin tonë të fundit që zbuloi se përqendrimet e gazit serrë kanë arritur përsëri nivele rekord”, shkroi Bashkim Kastrati, ekspert i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës tri javë para se të raportoheshin përmbytjet e para në Kosovë.
“Shëndeti dhe mirëqenia e njeriut janë të lidhura ngushtë me #gjendjen e klimës. Për shembull, valët ekstreme të të nxehtit gjatë kulmit të verës janë potencialisht vdekjeprurëse”, shkroi Kastrati në profilin e tij në Facebook.
Njohësit thonë se institucionet lokale e ato qendrore duhet të dëgjojnë përnjëmend shqetësimet e ekspertëve dhe të qytetarëve për politikat mjedisore, sikur e kërkojnë vlerat e parimet demokratike evropiane.
“Unë mendoj se pa fillu me kriju këtë qasje që shteti në çdo institucion, në çdo strategji, në çdo veprim, në çdo plan me u përfshi qytetari dhe eksperti i fushës, domethënë, vështirë se kemi me fillu me pas një lloj sistemi funksional për këto gjëra”, thekson Mujaj.
Por praktika e deritanishme ka treguar se dëgjimet publike më shumë bëhen sa për sy e faqe, ku nuk ka seriozitet të përfaqësuesve të zgjedhur, e pak interesim të qytetarëve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.